Hoti në Preshevë: Qeveria po bën hapa konkretë për t’i afruar njerëzit e dy anëve të kufirit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.

Në këtë takim Hoti dhe Mustafa biseduan për Programin Nacional për Rininë dhe për një sërë temash të cilat janë preokupim i shqiptarëve të Luginës ndër vite, njofton Klan Kosova.

Koordinatori Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe tha se pret përkushtim nga Lugina e Preshevës dhe të gjitha institucioneve relevante për implementimin e tij, pasiqë ky program do të ndikojë në të ardhmen e secilit nxënës.

Koordinatori Hoti pohoi se është në dijeni për të gjitha këto çështje që i preokupon shqiptarët e Luginës dhe se është duke u angazhuar në vijimësi për të bërë zgjidhje praktike dhe për të mundësuar jetë normale për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Ne angazhohemi për të ngritur cilësinë e arsimit dhe nëpërmjet Programit Nacional për Rini të ndikojmë edhe në qëndrimin e të rinjve në vendlindjen e tyre”, tha Hoti.

“Si Qeveri e Kosovës jemi duke bërë hapa konkret për të përafruar njerëzit e të dyja anëve të kufirit. Në këtë drejtim, kemi filluar me Programin Nacional për Rininë i cili do të ngritë ndërveprimin dhe bashkëpunimin e shkollave, nxënësve dhe mësimdhënësve të Luginës së Preshevës me ata të Kosovës”, theksoi Hoti.

Ndërsa, kryetari Mustafa përmendi disa nga problemet me të cilat përballen shqiptarët e Luginës dhe tha se e mbështet me të gjitha mundësitë që ka Programin Nacional për Rininë.

“Ne kemi problem elementar mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, pastaj njohjen e diplomave, e shumë të tjera. Për këtë, ne ju përgëzojmë dhe ju mbështesim për Programin Nacional për Rininë sepse për ne është shumë e rëndësishme prania e Kosovës në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë. Me këtë rast, gjithsesi duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë Medvegjës sepse një program i tillë është shumë i nevojshëm edhe aty. Mos na kurseni për t’ju ndihmuar që ta jetësoni këtë program edhe në Luginë”, shtoi Mustafa.

Programi Nacional për Rininë do të realizohet në formë të garës në kreativitet kulturor dhe mendim kritik, në dituri dhe në sport. Këto gara do të organizohen në tri nivele: në nivel shkolle, komune dhe republike.

Fituesit e garave në Luginë të Preshevës do të kenë mundësinë të garojnë në nivel republike me nxënësit e Kosovës.