Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar sot sërish liderët e të gjitha partive politike në vend për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Takimi do të mbahet në orën 12 në zyrën e kryeministrit, Hoti.
Nuk dihet nëse partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja do të marrin pjesë në takim.
Reporteri.net ka kontaktuar me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, por ai ka thënë se gjendet në Mitrovicë dhe nuk e di nëse partia e tij do të marrë pjesë në takim.
Edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra e kontaktuar nga Reporteri.net ka thënë se nuk gjendet në Prishtinë dhe nuk e di nëse do të marrë pjesë në takim kreu i partisë së saj.
Kurse zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.
Reporteri ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Lëvizja Vetëvendosje por zëdhënësi i saj Përparim Kryeziu nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike, ashtu si edhe nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Takimi do të mbahet i mbyllur për media e as pamje nuk do të kenë.
Kujtojmë se në takimin e qershorit morën pjesë vetëm AAK, Nisma, AKR si dhe disa prej partive të komuniteteve. Kryeministri Hoti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rreth kësaj teme të premten në ora 12:00.







