Hoti në Drenas, rithekson gatishmërinë për themelimin e Fondit Emergjent për sanimin e dëmeve nga vërshimet

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një postimi të bërë në FB ka shkruar për vërshimet, që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut dhe të borës.

Ai ka vizituar Komunëne Drenasit, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni dhe kryetarin, Ramiz Lladrovci.

Hoti ka ritheksuar edhe një herë gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë, për sanimin sa më të shpejtë të dëmeve, përmes themelimit të Fondit Emergjent.

Ky është postimi i plotë:

Reshjet e shumta të shiut dhe të borës, gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në shumë fshatra dhe qytete të Kosovës. Dëme të konsiderueshme materiale ka pësuar edhe fshati Dobroshec i Komunës së Drenasit, një pjesë e të cilit është bllokuar, pasojë e dëmtimit të rëndë të urës.

Gjatë vizitës në këtë fshat, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksova se është mirë që nuk kemi pas viktima në njerëz, kjo është kryesorja. Janë shkaktuar dëme të mëdha në prona private dhe vërshime nëpër shtëpi, por FSK-ja ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të qytetarëve nëpër vendbanime të ndryshme.

Ritheksova gatishmërinë time dhe të Qeverisë për sanimin sa më të shpejtë të dëmeve nga vërshimet përmes themelimit të Fondit Emergjent, me të cilin do t’iu dalim në ndihmë familjeve që kanë pësuar dëme materiale dhe që jetojnë në kushte të vështira.