Hoti: Ndryshimi i pikës së marrëveshjes për Ujmanin “nuk ka asnjë lidhje” me AAK-në

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se çështja e Liqenit të Ujmanit është “problematizuar pa asnjë nevojë nga ana e AAK’së”.

Hoti ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se është e pavërtetë që pika e marrëveshjes së Uashingtonit me Serbinë, që flet për Ujmanin, është ndryshuar pas presionit nga partia e Ramush Haradinajt.

“Sa i përket deklarimeve se për shkak të presionit të AAK’së është ndryshuar kjo pikë, nuk ka asnjë lidhje”, është shprehur shefi i ekzekutivit kosovar.

Ai ka thënë se ka biseduar me Haradinajn rreth çështjes para nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

“Kam diskutuar të premten në mëngjes, herët, ditën e nënshkrimit, kam komunikuar me të”, ka treguar Hoti.

I kam bërë të ditur që “insistimi është që Departamenti i SHBA’së për Energji të bëjë studim të fizibilitetit”, ka treguar Hoti.