kryeministri Hoti

Hoti lavdon ‘vetën’: Jemi favoriti kryesor, e dini si e kemi gjetur vendin…

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK, partia prej nga vjen ai është favoriti kryesor për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme.

“Jemi favoriti kryesor, sepse e dini si e kemi gjetur vendin me sanksione ndërkombëtare, përfshirë mikun tonë më të madh [SHBA-në]. Kemi menaxhuar pandeminë. Kosova është në mesin e 3-4 vendeve që më së miri e ka menaxhuar pandeminë”, është shprehur Hoti.

“Ne kemi hequr nga diskursi disa dukuri negative si korrupsioni, nepotizmi, jo duke folur para medieve, por me veprime konkrete”.

Hoti ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë duhet respektuar.

Ai ka shtuar se LDK tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e reja, ndërkaq ka thënë se me partitë tjera janë duke biseduar për votimin e buxhetit për vitin 2021 para se të shpërndahet Kuvendi.

“Kemi nis bisedat nga dje për ta kaluar buxhetin – përfshi edhe Vetëvendosjen. Është me rëndësi që të mos hymë në janar me buxhet të pamiratuar”.