Hoti: Kurti e ka humbur fokusin në dialog, prandaj Blinken i çoi letër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori mbrëmë letër nga SHBA-ja.

Përmes një letre të gjatë Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony J.Blinken, ku pati një mori kërkesash, por që fokusi kryesor ishte të arrihet një marrëveshje sa më e shpejt në mes Kosovë-Serbi, sepse siç thekson ai kjo marrëveshje është vonuar.

Kjo letër sipas ish-kryeministrit të Kosovës, dhe deputetit aktual të LDK-së, Avdullah Hotit ka qenë e pritshme.

Ai në një prononcim për Periskopin tha se dialogu ka dalë nga binarët, dhe se kryeministri në fjalë ka humbur fokusin në këtë drejtim.

“Kjo letër ka qenë e pritshme, sepse dialogu ka dalë nga binarët. Fokusi i dialogut ka humbur. Në qeverinë e kaluar, është dialoguar për marrëveshja finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Ndërsa sot dialogohet për çështje teknike, që sigurisht se duhet të adresohen por jo të bëhen qëllim i dialogut”, tha Hoti.

Hoti ka theksuar se është nevojshme koordinimi i ngushtë me SHBA’në sepse siç thotë ai ky raport i ka munguar Kosovës tash e një kohë, andaj edhe ka ardhur letra për kryeministrin Kurti.

“Është me rëndësi që tani ka vëmendje të plotë të SHBA-së për këtë proces. Kosova duhet të koordinohet ngushtë me SHBA-në, e cila gjë duke se ka munguar që si rrjedhim ka quar tek letra”, tha Hoti.

Amerika ka kërkuar edhe marrëveshje për rrymën në veri, zbatimin e vendimit për Manastirin, dhe krejt në fund ia qartësoi Kurtit se duhet të punojë ngushtë me ambasadorin Jeffrey Hovenier.