Hoti i pa konkurrencë brenda LDK’së, Mustafa: Kandidimin për kryeministër nuk e refuzoi askush

Vendimi i fundit i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë që Avdullah Hoti të jetë kandidat për kryeministër, por deri të ky vendim u tha që kishte edhe emra të tjerë që nuk pranuan të jenë bartës të listës.

Në një intervistë për lajmi.net, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se në parti nuk ka pasur asnjë emër tjetër që është diskutuar për të qenë kandidat për kryeministër.

Sipas tij, e gjithë partia ia kanë besuar këtë Hotit pasi ka dashur që të përfundojë punën që ka nisur në qeveri. “Zotëri Hoti e ka pasur përkrahjen e plotë të kryesisë së LDK-së.”

“Kam biseduar me disa prej njerëzve në LDK, duke përfshire edhe zotëri Hotin, një bindje e përgjithshme ka qenë brenda LDK-së që ne duhet ta mbajmë qeverinë e cila ka qenë në rrjedhë përkatësisht kryeministrin, për arsye që nuk kemi pasur vlerësime të këqija për punën e zotëri Hotit si kryeministër gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Kryetari i LDK-së tha se nuk ka pasur asnjë emër konkret për kryeministër dhe tha se nuk është lajmëruar askush që ka dëshiruar të jetë në konkurrencë me Hotin.