Deputeti i PDK’së, Andin Hoti, ka reaguar ndaj deklaratave të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti për themelimin e një Komisioni Hetimor për listat e veteranëve. Ai e quajti edhe gënjeshtar. Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Hoti i LDK’së, i cili ka thënë se Andini është djali i një njeriu të madh të Kosovës dhe se për hir të babait të tij do ta ruajë respektin për të.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së tha dje pas konferencës së Veselit se “kjo iniciativë është për ta larë veten”.

Bashkëvendësi i tij, që është nga radhët e PDK-së, Andin Hoti, i është përgjigjur atij, duke e quajtur “si një nga liderët e shumtë të LDK-së” që vetëm komenton në Facebook dhe nuk vepron asgjë.

Ai madje ka thënë për të se ka kaluar në atë nivel sa nuk e merr më askush seriozisht, derisa e quajti edhe gënjeshtar.

“Nuk kanë faj, sepse ti z. “Lider” nuk mbajë mend që ke dhënë ndonjë deklaratë me përmbajtje serioze, ti s’e flet të vërtetën, e madje gënjen edhe hapur publikun kur mediat i ke para vetes”, ka shkruar Hoti i PDK’së.

Ndaj këtyre deklaratave, ka reaguar sërish Shefi i Grupit Parlamentar i LDK’së, Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se Andini është djali i një njeriu të madh të Kosovës dhe se për hir të babait të tij do ta ruajë respektin për të dhe do ta kursejë. .

“Gjuhen qe Andini po e perdor ndaj meje une nuk mund ta perdor ndaj tij. Andini eshte djali i nje njeriu te madh te Kosoves dhe te Rahovecit. Per hire te babes se tij, une do ta ruaj respektin per Andinin dhe do ta kursej”, ka shkruar Hoti.