Hoti: E turpshme, projektligji me rëndësi kombëtare nuk gjeti Unitetin e skenës politike në Kosovë

Sot, u zhvillua seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku kishte një sërë projektligjesh për t’u votuar, dhe njëri projektligj kishte të bënte me Kompleksin Memorial “Adem Jashari” , i cili nuk arriti të kalonte shkaku i mungesës së korumit për votim.

Bojkotimi i seancës nga LDK-ja dhe VV-ja, ka bërë që të ketë mungesë korumi, ku edhe i parapriu që projektligji në fjalë të mos votohet.

Në lidhje me këtë reaguan disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët hodhën akuza të rënda ndaj LDK-së dhe VV-së, madje duke i krahasuar me Listën Serbe për mos arritjen e votimit.

Ndërkaq deputeti nga radhët e PDK-së Andin Hoti, i cili përmes Facebook-ut ka thënë që është e papranueshme, madje e ka cilësuar të turpshme që ky projektligj me rëndësi kaq të madhe kombëtare nuk gjeti Unitetin e skenës politike në Kosovë, transmeton Ballkani.info

Ky është postimi i z. Hoti:

“Të dashur qytetarë,

Sot njëra prej pikave në rendin e ditës në Seancën e Kuvendit të Kosoves, ishte edhe “Votimi i Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz”, për të cilin nuk u krijua korumi i mjaftueshëm për votim.

Mendoj që është e papranueshme, madje shumë e turpshme që ky projektligj me rëndësi kaq të madhe kombëtare nuk gjeti Unitetin e skenes politike në Kosovë.

Ky projektligj do të duhej ti kishte minimum 110 vota pro.

Kompleksi Jasharaj dhe kuptimi i saj, është shtylla e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, Kompleksi Jasharaj i jep kuptim shtetit tonë, prandaj është e pafalshme mos prezenca e kolegëve deputetë në këtë pikë të rendit të dites.

Kushdo që harron themelet e lirisë nuk e nderon as veten e as vendin!” /ballkani.info/