Hoti e Nushi firmosin marrëveshje për realizimin e projekteve në kulturë, rinisë dhe sportit

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, për të rritur bashkëpunimin ndërinstitucional në mënyrë që të përforcohen kapacitetet intelektuale, kulturore e sportive të rinisë.

Nushi tha se përmes kësaj marrëveshje të rinjtë do të shfaqin aftësitë e tyre kreative e sportive.

“Sot po nënshkruhet kjo marrëveshje me koordinatorin që do i japë mundësitë të rinj të kontribuojnë në idetë e tyre që do përfaqësojnë edhe komunën tonë, por edhe shtetin tonë. Përmes këtij projektit dhe përmes shpalosjes së 14 projekteve të kësaj marrëveshje të rinjtë do t’i shfaqin aftësitë e veta”.

“Në javën e kaluar e kemi riaktivizuar shoqatën e pedagogut dhe kulturës fizike ku do realizohen liga të ndryshme sportive. Me këto projekte po i japin hapësirë të rinjve që të tregojnë vetën në nivel komunal dhe vendi”.

Ndërsa Koordinatori Nacional për Rini dhe Sport Rexhep Hoti, tha se përmes garave të këtyre tri fushave për 340 mijë nxënës në gjithë Kosovën parashihen të jepen 30 mijë çmime.

“Kosova ka bërë anvancime të tilla që i ka kaluar me në sasi të ndryshme politike. Programi nacional për rini troket 3 herë brenda numrit të nxënësve njëherë për garën për dituri, pastaj kreativiteti kulturor dhe mendimi kritik si dhe sport”.

“Parashihen mbi 30 mijë çmime në të tria garat. Është një garë që nuk ngërthen vetëm garën për punën ekipore të nxënësve po iu jep atyre mundësinë direkte që të kenë avancime edhe nga ana e jashtme”.

Secila palë, duke iu përmbajtur detyrave dhe qëllimeve të përcaktuara me ligjet dhe rregulloret në fuqi në Republikën e Kosovës, janë pajtuar që të inkurajojë dhe promovojë bashkëpunimin në këto fusha:

Shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjellë për projektet rreth rinisë, kulturës dhe sportit;

Aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim grumbullimin e donacioneve ndërkombëtare për projektet që promovojnë kulturën dhe sportin;

Angazhimin e përbashkët rreth ecurisë dhe mbajtjes së garave sportive, të diturisë dhe kreativitetit kulturor si në nivelin shkollor, komunal dhe atë qendror;

Ndërhyrjen në infrastrukturën sportive duke ofruar bashkëpunim në zhvillimin e garave.