Hoti e Krasniqi akuzojnë njëri-tjetrin se nuk i kanë liderët e pastër

Avdullah Hoti i LDK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së kanë akuzuar njëri-tjetrin se udhëhiqen nga kryetarë me të kaluar jo të pastër.

Sipas Hotit, Krasniqi udhëhiqet nga “regjisori i aferës Pronto”. Ai ka thënë se kandidati i PDK-së për kryeministër, kryetari i saj Kadri Veseli, ka larguar nga lista njerëzit me të kaluar kriminale, “por ka futur në listë djemtë e kushërinjtë e tyre”.

Në anën tjetër, Krasniqi i ka thënë Hotit se udhëhiqet nga Isa Mustafa, “që u jepte tenderë djemve të tij sa ishte kryeministër”.

“Ju i keni me aktakuza njerëzit e kryesisë, kryetarët e komunave. Në krye keni Isa Mustafën që u jepte tenderë djemve. Sivjet e kenë ndërruar veç kandidatin për kryeministër, tash është Vjosa Osmani, e herën e shkuar ishe ti, por shef mbetet Isa”, ka thënë Krasniqi.

Hoti në Rubikon ka thënë se LDK-ja prin në sondazhe me 7-8 për qind para partisë së dytë, duke shtuar se partia e Krasniqit do të luftojë për vendin e dytë. Këtu Krasniqi i është përgjigjur duke thënë se “sondazhet s’janë rezultat zgjedhor”.

“Më 2014, tre muaj para zgjedhjeve keni qenë me sondazhe para PDK-së, edhe në fund të 2013-s e deri pas 2014-s, por në zgjedhje keni humbur. Edhe tash s’e përjashtoj që mund të jeni para PDK-së, por në zgjedhje je i dyti”, ka shtuar ai.

loading…