Hoti: Dëm i madh për Kosovën të neglizhohet projekti i gazsjellësit që mbështetet nga SHBA-ja

Ish-kryeministri Avdullah Hoti që është edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar në lidhje me ndërtimin e gazsjellësit të sponsorizuar nga administrata amerikane.

Hoti përmes një shënimi në Facebook, ka shprehur shqetësimin se qeveria aktuale po e neglizhon këtë projekt.

Ai thotë se projekti në fjalë pos dimensionit politik ka edhe rëndësi gjeopolitike.

Postimi i plotë

Është dëm i madh hapja e dilemave se a duhet të ndërtohet rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz.

Në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz.

Gjatë kohës sa kam qenë kryeministër, kemi finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut.

As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA.

Është dëm i madh që tani hapen këto dilema, në veçanti pasi Presidenti Biden e ka njoftuar Kongresin se e ka ndarë shumën prej 200 mil dollarë për projekte të MCC-së në Kosovë.

Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientialist.

Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale.