Hoti: Bizneset në Kosovë po detyrohen të blejnë thëngjill nga Serbia tri herë më shtrenjtë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se si shkak i shkëputjes së kontratës së ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli” me Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK), sektori privat po detyrohet që për ngrohje të importojë thëngjill nga Serbia dhe vendet e tjera.

Sipas Hotit, kjo po iu kushton bizneseve tri herë më shtrenjtë sesa çmimi me të cilin paguan për ton të thëngjillit tek “Kosova Thëngjilli”.

Deputeti i LDK-së ka thënë në ‘Facebook’-un e tij se “së paku gjashtë milionë euro qymyr janë importuar vitin e kaluar”.

“Flemë mbi qymyr, por importojmë qymyr. Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, njofton Hoti.

“Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli””, vijon ai.