Homazhe dhe nderime për jetën dhe veprën heroike të Fehmi e Xhevë Krasniqi Lladrovci

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e përvjetorit të 24-të të rënies heroike të heroit dhe heroinës, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në homazhe për nder të jetës dhe veprës së tyre heroike.

Në këtë ditë, i falënderoj të gjithë ata që na u bashkuan, për të përkujtuar më të dashurit tanë, emblemat e UÇK-së dhe kombit në rrugën e atdhedashurisë, Fehën e Xhevën

“Në këtë ditë, i falënderoj të gjithë ata që na u bashkuan, për të përkujtuar më të dashurit tanë, emblemat e UÇK-së dhe kombit në rrugën e atdhedashurisë, Fehën e Xhevën”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

E marta e 22 shtatorit të 1998-ës, do të jetë datë e dhimbjes së pakufishme, për Nanën Ki, Babën Tush, për Emriun, motrat dhe tërë familjen.

Pasi mora lajmin e kobshëm, atë ditë të rëndë, mesazhi im i parë për familjen dhe të afërmit ishte se nuk guxon të pikë lot për Fehën e Xhevën, amblemat e familjes dhe kombit. Liria do të jetë koha kur do të shprehim dhimbjen dhe dashurinë për ta dhe dëshmorët e kombit, lufta për çlirim vazhdon.

Sot, punojmë çdo ditë që emri i Fehës dhe Xhevës të lartësohet me veprat tona, duke punuar për idealet që i kishin ata për lirinë, për barazi e gjasa të barabarta, kushte e mirëqenie për qytetarët tanë.

Sot, nga të gjitha trojet etnike, së bashku me    kryetarin Krasniqi, deputetë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, shokë, miq e dashamirë, asamblistë e zyrtarë të të gjitha niveleve, vendosëm lule dhe kemi bërë homazhe në Shesh, para shtatores së Fehës e Xhevës dhe kemi vazhduar në Memorialin e dëshmorëve në Gllanasellë.

Këtu nderuam heroin Fehmi Lladrovci, heroinën Xhevë Krasniqi Lladrovci, heroinën Fatime Hetemi dhe dëshmorët Shefqet Zeka, Behxhet e Milazim Karaxha dhe Hamit Lladrovci.

Po ashtu, me pritje modeste në shtëpi, mirëprita miqtë për të nderuar kujtimin për më të dashurit tanë.

Në këtë ditë, i falënderoj të gjithë ata që na u bashkuan, për të përkujtuar më të dashurit tanë, emblemat e UÇK-së dhe kombit në rrugën e atdhedashurisë, Fehën e Xhevën.

Në veçanti e falënderoj Bacën Bedri, njohësin më të mirë të jetës dhe veprës së heroit dhe heroinës, Fehës dhe Xhevës, atdhetarin e shquar, autorin e librit “Përjetësia e dyfishtë”, për botimin e dytë të ripunuar, me rastin e përvjetorit të 24-të të rënies heroike të Fehës e Xhevës.

Miq, dashamirë, bashkëveprimtarë, ju faleminderit. Liria e Kosovës është fati ynë më i madh!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!