Vendimi

Historike: Kosova i vë sanksione Serbisë, vendos taksë për të gjitha produktet serbe

Qeveria sot ka miratuar masat e importit për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo pikë është vënë në rend të ditës me propozimin e ministrit të Tregtisë, Endrit Shala.

Me këtë rast, ministri Shala ka thënë se MTI ka bërë analizë të produkteve nga Serbia që dëmtojnë tregun kosovar.

Ai ka bërë të ditur se do të vendoset masa e 10 përqindëshit për të gjitha këto produkte me përjashtim të atyre që janë brende ndërkombëtare.

Shala ka thënë se do të ketë edhe masa tjera për produktet nga ky shtet.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se këto lloj sanksione ndaj Serbisë janë ndërmarrë për herë të parë që nga shpallja e Kosovës shtet, raporton Ballkani.info.

Sipas tij, çdo artikull nga Serbia që hyn në Kosovë do ta ketë një taksë shtesë prej 10 për qind.

“Nuk mund Serbia me fitu prej neve miliona euro dhe me u sill qysh sillet me neve. Çdo kund në botë, cilido shtet që sillet keq atij i vihen sanksione dhe për këtë kemi plot raste në botë”, ka thënë Haradinaj.

Ai e ka quajtur historik këtë vendim, duke shtuar se kthim prapa nuk ka. /Ballkani.info/