Historike| FC Liria Berlin bëhet skuadra e parë kosovare në Bundësligën gjermane të futsallit

Skuadra e mërgatës nga Kosova, FC Liria Berlin ka shkruar një faqe të re në librin e futbollit gjerman, duke arritur rezultatin më të madh të shënuar ndonjëherë nga klubet sportive të diasporës shqiptare.

Ky sukses i jashtëzakonshëm në rangun e futbollit gjerman erdhi si rezultat i ndeshjes së zhvilluar të dielën pasdite në sallën sportive Schöneberg, ku skuadra e mërgatës kosovare FC Liria Berlin arriti ta mposhtë skuadrën kundërshtare Sparta Futsal, me një fitore bindëse 6:1.

Fitorja e së dielës e kualifikojë skuadrën kosovare në elitën e futsallit gjerman dhe kësisoj FC Liria Berlin në sezonin 2023/2024 do të garojë në Bundesligën gjermane.

I gjithë ky sukses i jashtëzakonshëm i skuadrës kosovare vjen si rezultat i punës dhe angazhimit të palodhur të futbollistëve dhe anëtarëve të kryesisë, Sadri Zemaj, Sadik Murseli dhe Bejtullah Makiqi.

Klubi futbollistik FC Liria është themeluar në vitin 1985 nga shqiptaret e Kosovës që jetojnë në Berlin dhe sot është ndër anëtarët më të vjetër dhe aktivë të Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani. /Telegrafi