Publiku në Kosovë u trondit nga lajmi se katër persona, prej të cilëve dy fëmijë u therën me thikë në qytetin e Ferizajt.

Sulmi, i cili u cilësua si ‘sulmi racist’ ishte i drejtuar ndaj katër qytetarëve – me përkatësi kombëtare ashkali.

Një hulumtim i Kallxo zbardh, si personi që dyshohet se kreu krimin ishte liruar nga burgu, tri javë para ngjarjes.

Të dhëna tregojnë se i dyshuari kishte qëndruar në burg për më shumë se 17 vjet, ndërkaq, nuk kishte ndjekur programe të rehabilitimit.

F. I. është i njohur për vepra penale. Ai kishte mbajtur një dënim plot 17 vjet, për një vepër penale: atë të vrasjes së rëndë. E, menjëherë, pas përfundimit të dënimit të parë, ai i ishte nënshtruar edhe dënimit të dytë – kësaj radhe për Kanosje.

Brenda institucioneve, në të cilat qëllim primar është: rehabilitimi, risocializimi e ri-integrimi…, F. I. nga disa programe të ndryshme që ofrohen, kishte marrë pjesë vetëm në atë të punës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka thënë Kallxo.com se F. I., nuk kishte pasur sjellje të mira, brenda institucioneve korrektuese – në të cilat kishte qëndruar. Dhe, për shkak të kësaj situate, ai nuk kishte përfituar as lirimin me kusht – ndonëse, kishte bërë një Kërkesë të tillë.

“Ai është liruar pas përfundimit të plotë të dënimit të tij. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore, që e obligon SHKK-në ta mbajë një person të dënuar, pas përfundimit të dënimit – edhe nëse risocializimi i plotë nuk është arritur” – thuhet në përgjigjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Gjatë 18 vjetëve sa F. I. kishte qëndruar brenda burgjeve, kishte marrë pjesë vetëm në Programin e Punës.

“I dënuari F. I. ka marrë pjesë vetëm në Programin e Punës. Shërbimi Korrektues i Kosovës angazhohet, maksimalisht, që përmes mekanizmave të saj të përmbushë rolin e korrektimit dhe risocializimit të personave të dënuar – përmes programeve rehabilituese, aftësimeve profesionale, arsimimit, programeve të punës; si dhe, aktiviteteve sportive dhe kulturore” – thuhet, në përgjigje, tutje.

Sipas tyre, pjesëmarrja e të dënuarve, në programe rehabilituese dhe aftësime profesionale, është vullnetare.

F. I. ka qenë në mbajtje të dënimit nga: 25.12.2006 deri më 25.10.2023, në Qendrën Korrektuese të Dubravës, për ‘Veprën Penale të Vrasjes së Rëndë. Pas kësaj, nga 25.10.2023 deri më 25.10.2024, ka vazhduar mbajtjen e dënimit, prej një vjet, për: ‘Veprën Penale të Kanosjes’.

Ndonëse, sulmi me thikë që ndodhi, më 11.11.2024, në qendër të Ferizajt, kishte një cak për të sulmuar disa pjesëtarë të komunitetit ashkali, F. I., sipas Dosjeve që ka SHKK, nuk kishte përmendur asnjëherë se mund të arrinte të bënte ndonjë vepër të tillë.

“Nuk kemi pasur asnjë deklaratë apo informacion të tillë, që tregon se i dënuari, posa të lirohet, do të kryejë veprime të tilla” – thuhet, tutje, në përgjigje.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, vlerësimi i të dënuarve bëhet gjatë gjithë kohës sa ata janë në ekzekutim të dënimit – duke përfshirë edhe ‘nivelin e risocializimit’.

“Shërbimi Korrektues, me rastin e lirimit të çdo të dënuari, njofton Gjykatën Kompetente dhe Policinë e Kosovës. Për rastet, kur të dënuarit lirohen ‘me kusht’ bashkëpunon dhe njofton Shërbimin Sprovues” – thuhet, tutje, në përgjigje.