Ambasadori Hill

Hill u kërkon Kosovës e Serbisë ta bëjnë marrëveshjen: Propozimi është në tavolinë që një kohë të gjatë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar që propozimi për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë ka qenë në tavolinë për një kohë të gjatë.

Sipas mediumit serb “Tanjug”, ai ka shtuar se dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizim sa më parë.

“Shikoni, shumë gjëra po ndodhin në botë dhe mendoj se në terme të dialogut, marrëveshja duhet të bëhet siç tha Lajçak – sa më parë. Ne e dijmë që elementet e marrëveshjes kanë qenë në tavolinë për një kohë të gjatë. Ato kanë të bëjnë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kanë të bëjnë me një shkallë më të lartë të ndërkombëtarizimit se sa që po shikon Kosova.” – citohet të ketë thënë ai tutje.

Sipas Hill, çdo gjë është e qartë, i cili shtoi: “Këto elemente janë diskutuar për një kohë të gjatë, dhe kanë qenë të theksuara veçanërisht gjatë takimit të Ohrit. Është vërtet koha për të përshpejtuar dhe për të ecur përpara”.