Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, ka thënë se nuk e kupton vendimin autoriteteve serbe për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”.
“Jam i befasuar nga ky vendim. Nuk e prisja këtë. Gjithmonë ka arsye sigurie, kjo është e qartë për mua. Por unë nuk e kuptoj këtë vendim. Ky festival ka 10 vjet që mbahet. Ai trajton çështjen se si të bashkëpunohet me të tjerët në të gjithë rajonin”, tha Hill në një intervistë për revistën “Diplomacy & Commerce”.
Tutje, Hill theksoi se festivali është i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian dhe tha se BE-ja po përpiqet të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo do të thotë para së gjithash ulje të tensioneve, por në veçanti nënkupton edhe idenë e bashkëpunimit të ndërsjellë. Pra, normalizimi është ajo që kërkon BE-ja”, potencoi ai.
Diplomati amerikan theksoi se BE-ja po përpiqet të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se ShBA-të po ndihmojnë në këtë proces sepse, siç tha ai, normalizimi është absolutisht vendimtar.
“Nëse nuk ka normalizim, kjo do të thotë jostabilitet, do të thotë probleme. Dhe ndërsa evropianët duan ta shohin Serbinë mes tyre, brenda strukturave të tyre, ata duan që Serbia të zgjidhë ose të paktën të adresojë problemet e saj përpara se të hyjë në BE”, shtoi ai.







