Hill: E mbështesim “Ballkanin e Hapur”, ende ka mosbesim për të në rajon

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, e ka vlerësuar si pozitiv projektin e “Ballkanit të Hapur”, derisa shton se rajoni duhet të ketë modele të bashkëpunimit.

“Më pëlqen që është zhvilluar këtu në Ballkan, nuk është imponuar nga jashtë. Ne e mbështesim atë si dhe projektet tjera integruese rajonale”, tha Hill për RTS-në, duke folur me rastin e Asamblesë vjetore të mbrëmshme të Odës Ekonomike Amerikane.

I pyetur se cilat sfida të tjera mbeten me integrimin më të plotë ekonomik, ai deklaroi se “duket se ka sfida politike – probleme të trashëguara dhe mosbesim”

“Unë do të thoja se këtu ka shumë trashëgimi historike, më shumë se që është e nevojshme, duhet të gjejmë një mënyrë për ta kapërcyer atë”, theksoi Hill.