Ambasadori amerikan

Hill: Çështja e madhe me të cilën përballet Serbia është marrëdhënia me Rusinë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha sot se negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë më komplekse sesa mund të imagjinohet, por se ndërkohë, çështja e madhe me të cilën po përballet Serbia është ajo që ka të bëjë me Ukrainën, d.m.th. çfarë marrëdhëniesh do të ketë me Rusinë.

Në hapje të Forumit Ekonomik të Beogradit, Hill tha se procesi i Brukselit i ka të gjitha elementet e nevojshme, se dihet se çfarë duhet bërë, transmeton Ballkani.info.

Ai tha se serbët në Kosovë duhet të dinë se çfarë do të marrin me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si do të jetë jeta e tyre dhe çfarë do të bëjë Prishtina, duke shtuar se Asociacioni është një zgjidhje që përfundimisht do të miratohet.

Sipas tij, ideja fillestare ka qenë që të krijohet Asociacioni dhe Serbia t’i japë Kosovës kapacitetet në bazë të të cilave mund të bëhet anëtare e BE-së.

Hill tha se Kosova duhet të ketë kapacitete më të mëdha për të qenë faktor ndërkombëtar, sepse 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, disa vende të BE-së dhe shumë vende të botës nuk e njohin atë pavarësi.

Ambasadori amerikan tha se nuk ka dyshim se serbët në Serbi janë shumë të pasionuar pas serbëve në Kosovë dhe kujtoi incidentin në Banjskë “që nuk duhet të përsëritet”.

Ai përfundoi se është e mundur të diskutohet se çfarë mund të bëjë KFOR-i për Kosovën, por se Serbia duhet të kuptojë se nuk ka rrugë tjetër përveç zgjidhjes politike. /Ballkani.info/