Higuain thotë se Juventusi e detyroi të largohej

Gonzalo Higuain u transferua te Milani nga Juventusi gjatë verës së kaluar, por nëse do të ishte në dorë të argjentinasit nuk do të largohej nga “Zonja e Vjetër”.

Higuain ndjen se u detyrua të largohej nga kampionët e Italisë pas transferimit të Cristiano Ronaldos.

Ish fubollisti i Real Madridit u ble prej Juventusit për shumën e 94 milionë eurove në verën e vitit 2016 nga Napoli, por dështoi t’i ndihmojë “bianconerëve” të triumfojnë në Europë.

Higuain në një intervistë për “La Gazzeta dello Sport” deklaroi se nuk ishte asnjëherë qëllimi i tij të largohej nga Juventusi.

“Unë nuk dëshirova të largohesha. Të gjithë e thonë se ata më vendosën para derës. Por sidoqoftë unë kam ndjenja dashurie ndaj klubit sepse bashkëlojtarët dhe tifozët më kanë trajtuar mirë. Kur e mbyllën marrëveshjen për Cristiano Ronaldon, më thanë se nuk ke vend dhe se po shikonin për zgjidhjen më të mirë.Te Milani kam gjetur menjëherë dashurinë dhe afërsinë e cila më bindi të transferohesha këtu”, u shpreh Higuain.

30 vjeçari ka pasur fjalë lavdëruese në drejtim të Gattusos ndërsa ka shprehur keqardhje për pozitën në të cilën gjendet Milani për momentin.

“Ndjej keqardhje për pozitën e 10-të ku ndodhemi sepse meritojmë të jemi më lartë. Në tjetrën anë ndihemi mirë psikologjikisht dhe profesionalisht. E dua Gattuson, ai ju shikon në sy dhe e dërgon dashurinë e tij për futboll”, përfundoi Higuain.