Hidhet sot në votim projektligji polemizues që përçau LVV-në, nëntë deputetë janë kundër

Kuvendi i Kosovës, pas disa javësh do të mbajë seancë ku do të shqyrtohen pika të rendit të ditës të mbetura nga seancat e kaluara që nuk kanë arritur të përfundohen. E para do të jetë votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Ky ligj, kishte ngjallur debate të mëdha dhe kshte nxitur përçarje në mesin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje pasi pati mospajtime të mëdha nga një numër jo i vogël i deputetëve, shkruan Paparaci.com.

Në seancën ku ishte shqyrtuar ky projektligj dhe kishte dështuar dy herë të votohej nëntë deputetë të mazhorancës ishin kundër.

Deputetët që votuan kundër ishin, Haxhi Avdyli, Burim Meta, Ekrem Mustafa, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi-Murtezi, Arta Baralija, Bahrim Shabani, Erxhan Galushi, Duda Balje, Fidan Jilta.

Në votim nuk kishte pjesë fare deputeti që e kundërshtoi ashpër këtë ligj, Eman Rrahmani dhe bashkëpartiaku i tij, Gramos Agusholi.

Përveç kësaj, ligji kishte ngjallur debate midis deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe deputetes Saranda Bogujevci.

“E drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara. Pati edhe çështje të tjera. Unë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë diskutim, prandaj do të kërkoja nga ministri ta tërheqë dhe ta diskutojë për vërejtjet”, kishte thënë Rrahmani.

Ndaj Rrahmanit kishte reaguar deputetja e VV-së dhe nënkryetarja e Kuvendit, Bogujevci e cila kishte qenë goxha e ashpër në përgjigjën e saj.

“Unë po dua të jem e sinqertë dhe ta them edhe publikisht që përderisa unë nuk e kam pasur mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë të bëhem nënë edhe unë duhet të jem e limitume në bazë të asaj që e the vetëm pse një shoqni mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktume. Përderisa unë kam dashtë të bëhem nënë për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca me ma mundësua atë të drejtë e jo me ma determinu një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për tu bërë nënë”, ka thënë Bogujevci.

Nuk dihet nëse LVV ka arritur konsensus sa i përket kësaj çështjeje dhe mbetet të shihet nëse ky ligj do të arrijë t’i sigurojë votat për t’u votuar në parim.