Hetimet e prokurorisë për publikimin e informatave konfeidenciale për vaksina, reagon ish-ministri i Drejtësisë

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pasi Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë e Kosovës, për të iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Selimi me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se për t’u hetuar do të duhej rrezikimi i shëndetit publik dhe jo rrjedhja e informacionit.

“Në çdo hetim të pavarur kur rasti fillon nga informacioni i mediave, duhet të përmbushen dy parametra: 1. Të mbrohet me çdo kusht burimi i informacionit dhe mos të linçohen e as shtrëngohen gazetarët.

“2. Të përmbahen politikanët nga deklaratat e tyre rreth hetimeve që të shmanget gjykimi nga publiku e të sigurohet hetimi i paanshëm. Gazeta online Insajderi për vite të tëra ka qenë dhe mbetet burim kredibil i informacionit. Subjekt i hetimit nuk duhet të jetë Insajderi e as rrjedhja e informacionit por rrezikimi i shëndetit publik”, ka thënë Selimi.