Heqja e maskës dhe fjalët e Trump pas daljes nga spitali tmerruan mjekët

Donald Trump edhe kësaj here është duke u përballur me kritika pas heqjes së maskës kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Ai u bëri thirrje amerikanëve që mos kishin frikë nga koronavirus.

Në momentin kur ai zbriti nga helikopteri i tij kishte vendosur një maskë të bardhë  kirurgjikale dhe në momentin kur do të përshëndeste e hoqi në një mënyrë e cila ka shkaktuar shumë debat.

“Mos e lejoni që të dominojë mbi ju. Mos kini frikë nga ai (virusi)”- tha Trump në një video pas kthimit të tij nga spitali ushtarak Walter Reed Medical Center jashtë Uashingtonit ku ai u trajtua për sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi.

Vendimi i tij për të hequr maskën e tij pasi ngjiti shkallët dhe këmbëngulja e tij që amerikanët të mos kishin frikë nga sëmundja tmerroi disa mjekë.

“Unë isha i tronditur kur ai tha se nuk duhet të kemi frikë nga COVID”-tha William Schaffner, një profesor i mjekësisë parandaluese dhe sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt në Nashville.

“Kjo është një sëmundje që po vret rreth një mijë njerëz në ditë, ka shkatërruar ekonominë, duke i lënë njerëzit pa punë. Ky është një virus që duhet respektuar dhe ndaj të cilit duhet frikësuar”-shtoi ai.

Trump, i cili u trajtua nga një ushtri mjekësh dhe mori trajtim eksperimental, ka minimizuar vazhdimisht një sëmundje që ka vrarë më shumë se 1 milion njerëz në të gjithë botën dhe e la vendin e tij me numrin më të lartë të vdekjeve në botë.