Heqja e flamurit nga zyra e Rakiqit, kryeministri përplaset me Mërgim Lushtakun

Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar polemikë mes kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti dhe deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Ky i fundit ka kërkuar nga Hoti që ta shkarkojë Goran Rakiqin nga pozita e zv/kryeministrit, për shkak të heqjes së flamurit shtetëror nga zyra e takimeve.

E pas kësaj deklarate, është përgjigjur edhe kryeministri Hoti.

“Simbolet janë të pacenueshme. Asnjë ministër s’ka me pas hapësirë me  i lëvizë ato. Simbolet në atë zyrë janë ashtu siç kanë qenë. Mund ta verifikoni këtë edhe ju si deputet i Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Mirëpo ndaj kësaj deklarate u përgjigj menjëherë  Mërgim Lushtaku.

“Besoj që ne e kemi pa publikisht në të gjitha mediat, takimet e zv/kryeministrit ku nuk ishte flamuri shtetëor i Kosovës. Ne mund të arsyetojmë cka të duam por realiteti është dicka tjetër. Besoj që është mirë ta shkarkoni atë sepse nuk i ka respektuar simbolet shtetërore”, tha Lushtaku.

E në fund, kryeministri Hoti bëri të ditur se ka kontaktuar me Rakiqin,  dhe se sipas tij simbolet janë aty ku janë.