Hendboll, Kosova luan sot sfidën jetike kundër Suedisë

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të dielën do ta luajë sfidën jetike kundër nënkampionit të botës, Suedisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Kosova aktualisht pozicionohet e treta në grup me tre pikë, një më pak se vendi i dytë që mbahet nga Mali i Zi. Suedia ndërkohë është në vendin e parë me 10 pikë, duke marrë fitore në pesë ndeshjet e zhvilluara. Rumania mban vendin e fundit po ashtu me tre pikë.

Vendi i parë dhe i dytë në grup sigurojnë plasmanin për në Evropian, ndërsa nga tetë grupe kualifikuese sa janë gjithsej, katër vendet e treta më të mira gjithashtu prejnë biletën për Evropianin që do të mbahet nga janari i vitit 2022.

Me humbjen ndaj Malit të Zi para pak ditëve, Kosovës i janë zbehur gjasat për të siguruar pjesëmarrjen, megjithatë matematika e lë ende në lojë.

Me një fitore të mundshme ndaj Suedisë, Kosova mund të ketë gjasa reale për t’u kualifikuar, varësisht prej rezultateve të përfaqësueseve tjera, brenda dhe jashtë grupit.

Ndeshja do të zhvillohet sot nga ora 18:00 në Suedi.