Helmim

Helmimi i mbi 30 personave në Malishevë| Policia: Lokali është mbyllur, intervistohet edhe pronari

Mbi 30 persona dyshohet se janë helmuar sot me ushqim në një lokal të ushqimit të shpejtë në Malishevë, disa prej të cilëve janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK dhe Spitalin e Prizrenit.

Lidhur me rastin për Ballkani.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj ka thënë se Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Rreth orës 16:50 kemi pranuar informatë se disa persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-Malishevë, nga raportet fillestare mjekësore, dyshoheshin për helmim si pasojë e ngrënies së ushqimit në një lokal ku shërbehen ushqime të shpejta. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe inspektorët komunal si dhe ata të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Lokali përkohësisht është mbyllur nga këta të fundit. Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i lokalit dhe lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Prodhimi dhe vënja në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, tha Elezaj.

Ai tha më tej se rasti do të hetohet në procedurë të rregullt./Ballkani.info