Hekuran Murati i VV-së: E rëndësishme që u arrestua një figurë e lartë e LDK-së për korrupsion

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka komentuar arrestimin e kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Murati tha se në rastin e Rugovës nuk po përmendet korrupsioni, por ai u arrestua pikërisht për korrupsion.

“Ne atë ditë kishim seancën për 100 ditët e Qeverisë. U përmend korrupsioni, u tha që fjala korrupsion është hequr nga fjalori, në këtë rast nuk u përmend korrupsioni, po thuhet se u arrestua për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me rëndësi është që u arrestua një figurë e lartë e LDK’së, për korrupsion”, ka deklaruar Murati për T7.

Ai tha se deklaratat kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili tha se arrestimi i Rugovës është politik dhe i padrejtë, janë ndërhyrje në drejtësi.

“Konferenca është skandal në vete, thuhet se politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi por të thuhet që drejtësia të mos ndërhyjë në politikë, të mos arrestojë politikanë, kjo është hera e parë”, ka thënë Murati.

Haki Rugova është arrestuar mbrëmjen e së premtes, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt interesi.

Të dielën, Gjykata Themelore një Pejë ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak ndaj kryetarit të Istogut.