Veprimtari i njohur dhe mbështetësi i pakursyer i luftës tonë për liri dhe pavarësi, Hektor Beqiri e ka kujtuar mbrëmjen e 4 nëntorit të vitit 2020, datë kjo kur komandantit të njohur të UÇK-së, Rexhep Selimit i ishte konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Beqiri, i cili është i pandarë me Selimin që disa dekada, shkruan se atë ditë nuk dihej për aktakuza ndaj të tjerëve, përveç Jakup Krasniqit.

“Ndërkohë, sonte, e gjeta një fotografi me Rexhën të para 20 vjetësh në hotelin “Ambassador” në Hagë, kur kishte dëshmuar në procesin gjyqësor për Fatmir Limajn. Histori e dhimbshme, me dekada padrejtësi ndaj luftës sonë çlirimtare, por krerët e UÇK-së gjithmonë dolën fitues”, ka shkruar ai.

Veprimtari Beqiri është optimist se dita kur çlirimtarët do të kthehen fitimtarë nga Haga nuk është e largët.

“E nuk është e largët as dita kur kokëlart si fitimtarë do të dalin nga burgu i Hagës edhe krerët e UÇK-së. Unë, shpresoj shumë, që kurrë më të mos kem arsye për ta vizituar Hagën, pasi që në këto 20 vjet e pashë vetëm si shtëpi të padrejtësisë për shqiptarët!”, ka shkruar në fund ai.