Protesta e paralajmëruar për 18 tetor në Strasburg, e organizuar në kuadër të protestave të diasporës kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj çlirimtarëve, është shtyrë për një datë tjetër. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një njoftimi publik atdhetari dhe organizatori i protestave në diasporë, Hektor Beqiri.
Sipas Beqirit, organizatorët kanë pranuar zyrtarisht një e-mail nga Drejtoria e Policisë Kombëtare Franceze lidhur me mbajtjen e tubimit në Strasburg.
Në komunikimin e autoriteteve franceze, sipas përmbajtjes së publikuar nga Beqiri, është kërkuar që të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së protestës, duke marrë parasysh situatën aktuale në Francë dhe rreziqet e mundshme për rendin publik dhe sigurinë e pjesëmarrësve.
Autoritetet franceze kanë vlerësuar se rrethanat aktuale kërkojnë një rivlerësim të kujdesshëm të përshtatshmërisë së organizimit të tubimit në datën dhe sipas kushteve të planifikuara fillimisht.
Duke marrë parasysh këtë kërkesë, Beqiri ka njoftuar se protesta e 18 tetorit nuk do të mbahet në datën e paraparë, ndërsa organizatorët do të vazhdojnë komunikimin me autoritetet franceze për caktimin e një date të re, sapo të krijohen kushtet e përshtatshme.
“Protestat dhe tubimet tona nuk do të ndalen!”, ka theksuar Beqiri në njoftimin e tij, duke bërë të ditur se pakënaqësia ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për çlirimtarët do të vazhdojë të shprehet përmes protestave dhe tubimeve paqësore në mbarë Evropën.
Ai u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të qëndrojnë të informuar përmes njoftimeve zyrtare të organizatorëve lidhur me datën e re të protestës.
Shtyrja e tubimit në Strasburg nuk nënkupton heqjen dorë nga organizimi i protestave, por një riplanifikim të tyre në koordinim me autoritetet përkatëse franceze.
Organizatorët kanë falënderuar mërgimtarët për mirëkuptimin, mbështetjen dhe solidaritetin, duke riafirmuar angazhimin për vazhdimin e protestave paqësore në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe së vërtetës.







