Atdhetari dhe veprimtari i shquar, Hektor Beqiri, ka vazhduar aktivitetet në Zvicër në kuadër të nismës “Kosova po pret”, e cila synon të mobilizojë dhe bashkojë mërgatën shqiptare rreth kauzës së çlirimtarëve.

Aktiviteti i radhës u zhvillua në klubin e njohur shqiptar “Shqiponjat” në Dietlikon, ku u shfaq “Ora e Pritjes”, duke krijuar një atmosferë të veçantë të karakterizuar nga emocionet, respekti dhe uniteti i të pranishmëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqiri ka shprehur mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen e treguar nga drejtuesit e klubit dhe bashkatdhetarët që iu bashkuan aktivitetit.

Një falënderim të veçantë ai ia ka kushtuar Murat Xhafës nga Klubi “Shqiponjat”, për mikpritjen dhe gatishmërinë për t’iu bashkuar nismës “Kosova po pret”.

Beqiri ka falënderuar gjithashtu të gjithë të pranishmit, duke vlerësuar se pjesëmarrja e tyre i dha peshë, zë dhe forcë kësaj iniciative.

Sipas Beqirit, aktivitetet e zhvilluara gjatë ditës në Cyrih dëshmuan edhe një herë se mërgata shqiptare di të bashkohet dhe të mobilizohet kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me kujtesën, sakrificën dhe çështjen kombëtare.

Por aktivitetet në Zvicër nuk përfunduan me këtë takim.

Beqiri ka bërë të ditur se në mesnatë, pjesëmarrësit do të mblidhen në klubin e njohur “Rinora 4”, ku do të zhvillohet aktiviteti i radhës në kuadër të nismës.

“Por… NUK NDALEMI!”, ka shkruar Beqiri, duke paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit të mërgatës.

Nisma “Kosova po pret” po shoqërohet me aktivitete në mesin e shqiptarëve në diasporë, me synimin për të përcjellë një mesazh të përbashkët të mbështetjes dhe solidaritetit.

Një zë, një qëndrim dhe një kauzë – “Kosova po pret”.