Atdhetari i shquar Hektor Beqiri ka bërë thirrje për një mobilizim mbarëkombëtar në mbështetje të çlirimtarëve, përmes nismës “Ora e Pritjes”, e cila nga nesër do të shtrihet në mbi 200 qytete të Evropës, kudo ku jetojnë shqiptarët.
Nisma nis nesër në Dyseldorf, në orën 17:00, në adresën Bilker Allee 140, për të vijuar më pas në qytete të tjera të Gjermanisë dhe në mbarë diasporën shqiptare.
“Nuk i harrojmë çlirimtarët, nuk i lëmë vetëm dhe nuk do të heshtim!”, është mesazhi i fortë i Beqirit, i cili e cilëson këtë nismë si më të paktën që mund të bëhet për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Në postimin e tij, Beqiri thekson se “Ora e Pritjes” është një shenjë e vogël me një mesazh të madh, duke nënvizuar se kujtesa dhe mirënjohja ndaj çlirimtarëve nuk kanë kufij.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te 16 shtatori, kur shqiptarët pritet të mblidhen në Hagë, pranë gjykatës, në pritje të shpalljes së vendimit përfundimtar.
Nga Kosova në diasporë, thirrja e Hektor Beqirit është e qartë: “Për çlirimtarët. Për sakrificën. Për drejtësinë. Për historinë tonë.”







