Atdhetari i shquar dhe organizatori i protestave të mërgatës shqiptare në diasporë, Hektor Beqiri, ka reaguar ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian pas miratimit të Ligjit të ndryshuar për Gjykatën Speciale.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Beqiri shprehet se populli shqiptar nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e kauzave kombëtare dhe veçanërisht nga kërkesa për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me padrejtësi në Hagë.

“Një popull që beson, nuk dorëzohet. Një popull me dinjitet, nuk përkulet!”

Beqiri e konsideron për keqardhje reagimin e Bashkimit Evropian dhe thekson se protesta e mërgatës shqiptare ka marrë përmasa të mëdha në vendet evropiane.

Sipas tij, mbi 250 mijë shqiptarë në diasporë kanë protestuar, duke përcjellë një mesazh të qartë ndaj institucioneve evropiane.

“Brukseli zyrtar e ka marrë përgjigjen më të fuqishme, më të qartë dhe më të vendosur: padrejtësia nuk kalon!”, shkruan Beqiri.

Ai gjithashtu kritikon atë që e konsideron përpjekje për rishkrimin e historisë së Kosovës, duke deklaruar se e vërteta, sipas tij, nuk mund të ndryshohet përmes proceseve gjyqësore.

Në reagimin e tij, Beqiri paralajmëron edhe një mobilizim të ri të mërgatës shqiptare në Bruksel më 10 tetor, ku pritet të mbahet një tubim i madh.

“Ne nuk lodhemi. Ne nuk ndalemi. Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë liri për çlirimtarët.”

Në fund të reagimit, Beqiri u bën thirrje shqiptarëve të bashkohen në tubimin e 10 tetorit në Bruksel, duke e përmbyllur me mesazhin:

“Bashkë, më të fortë. Bashkë, për drejtësi.” 🇽🇰✊🇦🇱