Atdhetari i shquar Hektor Beqiri ka ndarë një mesazh emocionues për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë, teksa ka mbetur vetëm edhe një muaj deri më 16 shtator, datë të cilën ai e cilëson si ditën e fundit të një procesi të gjatë gjashtëvjeçar.
Në reagimin e tij, Beqiri thekson se këto gjashtë vite kanë qenë vite pritjeje, ankthi, sakrifice, por edhe qëndrese për çlirimtarët dhe familjet e tyre.
“I kam vizituar me qindra herë në Hagë. Kam parë nga afër dhimbjen e tyre për shkak të padrejtësisë, forcën e tyre, durimin dhe besimin se e vërteta nuk mund të mposhtet përgjithmonë”, shkruan Beqiri.
Ai shpreh shpresën se vizita e tij e radhës, më 16 shtator, do të jetë e fundit.
“Këtë herë dua të besoj se vizita ime e 16 shtatorit do të jetë e fundit”, shprehet ai, duke nënvizuar se dëshira e tij është që bashkë me çlirimtarët të dalë nga Haga fitimtar, “së pari për Kosovën, për të vërtetën e luftës sonë çlirimtare, e pastaj për secilin prej tyre”.
Beqiri e cilëson periudhën e kaluar si një barrë të rëndë të bartur për gjashtë vite, ndërsa thekson se çlirimtarët janë pjesë e një historie që, sipas tij, nuk mund të fshihet nga një proces gjyqësor.
Mesazhin e tij ai e përmbyll me një thirrje shprese:
“Edhe një muaj. Edhe pak durim. Edhe pak forcë. 16 shtatori le të jetë dita kur dera e Hagës hapet jo për një vizitë tjetër, por për kthimin në shtëpi!”
Mesazhi i Hektor Beqirit vjen në prag të përfundimit të një procesi të gjatë, duke shprehur shpresën për një fund të shumëpritur dhe kthimin e çlirimtarëve në Kosovë.







