Sot në Istog është organizuar ceremonia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore të Heroit të Kosovës, policit Izet Demaj, në 6-vjetorin e rënies së tij gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në përkujtimin e policit Demaj morën pjesë: kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, drejtori i Drejtorisë Rajonale tё Policisё në Pejё, kolonel Shaban Shala, bashkëluftëtarë të Demajt, familjarë të tij, si dhe një numër i madh qytetarësh.

Heroin e Kosovës e ka përkujtuar edhe biznesmeni dhe aktivisti i njohur që jeton dhe vepron në Gjermani, Hektor Beqiri.

“Gjithmonë do të të kujtojmë, HERO! Krenar me veprën tënde, me atdhetarizmin tënd, me miqësinë tonë. Ishe gjithmonë besnik i uniformës, njëherë i uniformës së UÇK-së dhe pastaj i asaj të Policisë së Kosovës. Ishe gjithmonë besnik i parimeve dhe vlerave tua, me të cilat nuk bëje kurrë kompromise. Përherë në shërbim të vendit dhe popullit tënd! Nderime të përjetshme për heroin Izet Demaj, i cili gjashtë vjet më parë ra heroikisht në krye të detyrës!”, ka shkruar Beqiri.

Demaj u vra më 27.12.2018 gjatë intervenimit për të parandaluar një grabitje banke në Istog. I vrarë kishte mbetur edhe personi që dyshohet se ka tentuar ta grabiste bankën, Kamer Metaj.

Demaj i cili humbi jetën në moshën 42 vjeç, ishte bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës nga 8 janari i vitit 2001. Ai po ashtu ka qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në nderim të policit të vrarë, Izet Demaj, në Kosovë ishte mbajtur Ditë Zie, ndërsa Qeveria kishte marrë vendim që të ndajë një shumë prej 15 mijë eurosh për familjen e tij.

Ujkan Metaj është i dënuari me burgim për përfshirjen e tij në grabitjen e bankës në Istog në rastin ku mbeti i vrarë polici Demaj.

Metaj u shpall në kërkim më 24.07.2024 pasi u arratis nga Burgu i Dubravës ku po vuante dënimin. Në të njëjtën ditë, pasi është lokalizuar vendndodhja e tij, Policia e Pejës ka arritur ta arrestojë. /Ballkani.info/