Mërgata shqiptare në Zvicër po përgatitet për një Akademi të veçantë përkujtimore kushtuar Heroit Kombëtar Abedin Rexha – Sandokani.
Në vazhdën e organizimeve për këtë ngjarje, e cila do të mbahet në tetor të këtij viti në Zvicër, është zhvilluar takimi i parë i Këshillit Organizativ, me pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve nga të gjitha viset shqiptare.
Atdhetari i shquar Hektor Beqiri, një nga zërat aktivë të mërgatës shqiptare, ka bërë publik organizimin e kësaj Akademie, e cila synon të jetë një manifestim dinjitoz në kujtim të jetës dhe veprës së Abedin Rexhës – Sandokanit.
Gjatë takimit janë diskutuar dhe përcaktuar në detaje planprogrami, aktivitetet dhe organizimi i Akademisë Përkujtimore.
“Heroi që u bë Legjendë” është motoja që shoqëron këtë Akademi, përmes së cilës mërgata shqiptare synon të ruajë dhe përcjellë te brezat e rinj kujtesën për figurat që dhanë kontributin e tyre në rrugën e lirisë.
Sipas organizatorëve, Abedin Rexha – Sandokani i përket një dimensioni që tejkalon kufijtë e Kosovës, prandaj edhe Akademia pritet të bashkojë bashkatdhetarë nga të gjitha viset shqiptare.
“Mërgimtarët e vlerësojnë lart jetën dhe veprën e Heroit Kombëtar Abedin Rexha dhe mbeten të përkushtuar për ta kujtuar dhe nderuar atë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ.
Organizatorët theksojnë se kujtimi për heronjtë është pjesë e rëndësishme e kujtesës kombëtare dhe se nderimi i tyre duhet të përcillet brez pas brezi.
Akademia Përkujtimore në Zvicër pritet të shërbejë si një tubim i mërgatës shqiptare në nderim të Abedin Rexhës – Sandokanit dhe të gjithë të rënëve për liri.
Lavdi Heroit Kombëtar Abedin Rexha – Sandokani!
Lavdi të gjithë të rënëve për Liri!
Këshilli Organizativ – Zvicër






