Veprimtari i shquar shqiptar që jeton në Gjermani, Hektor Beqiri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që ato të mos kalojnë në heshtje dhe të mos harrohen.
Në një postim të tij, Beqiri e ka cilësuar veçanërisht të rëndë fyerjen ndaj Sala Jasharit, të cilën e përshkruan si mbesë të Sahit Jasharit dhe vajzë të Musës, duke theksuar lidhjen e saj familjare me Prekazin dhe familjen Jashari.
“Të fyesh Sala Jasharin që mban emrin e nënës së madhe të UÇK-së nga Prekazi dhe që është mbesa e Sahit Jasharit e vajza e Musës, nuk është thjesht një fyerje personale”, shkruan Beqiri.
Sipas tij, për shqiptarët, Prekazi dhe familja Jashari përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe të luftës së UÇK-së, ndaj çdo ofendim ndaj tyre duhet të kundërshtohet.
Beqiri ka reaguar edhe ndaj asaj që e përshkruan si kërkesë për “pushkatimin” e Ramush Haradinajt, duke e cilësuar një thirrje të tillë si të papranueshme.
“Një thirrje e tillë nuk mund të bëhet nga një shqiptar, absolutisht jo!”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, veprimtari nga diaspora u bën thirrje shqiptarëve jashtë Kosovës që të reagojnë ndaj, siç thotë ai, fyerjeve, gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë ndaj figurave të historisë së Kosovës.
“Diaspora shqiptare duhet të flasë qartë dhe me një zë”, thekson Beqiri, duke shtuar se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret si mbulesë për fyerje, kërcënime apo thirrje për dhunë.
Ai e sheh kundërshtimin e këtyre dukurive jo si një çështje hakmarrjeje apo përçarjeje, por si çështje të dinjitetit, përgjegjësisë dhe respektit ndaj historisë.
Në fund të reagimit, Beqiri apelon që kushdo që, sipas tij, e kalon kufirin nga kritika politike në fyerje, kërcënim apo thirrje për dhunë, të përballet me kundërshtim të qartë.
“Diaspora nuk duhet të heshtë. Jo për hakmarrje. Jo për përçarje. Por për dinjitet, përgjegjësi dhe respekt ndaj historisë. Boll më!”, përfundon ai.







