Haziri- Vetëvendosjes: Kur të çoni lule te varri i Ibrahim Rugovës, atëherë iu besojmë

28 nëntori është data kur Lëvizja Vetëvendosje, mund ta dëshmoj para LDK-së dhe para popullit, se ka ndryshuar qëndrim për figurën e presidentit historik Ibrahim Rugovës.

Dhe kjo, duke bërë homazhe dhe duke dërguar lule tek varri i Rugovës.

Kjo është ajo çka Lutfi Haziri pret nga VV-ja, në mënyrë që të vërtetohet se deklarimet e Glauk Konjufcës se VV,  ja njeh kontributet dhe meritat Ibrahim Rugovës janë të vërteta.

E kjo më pas do hapte një rrugë të re për bashkëpunimin LDK- VV.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri duke fol për Gazetën Blic, ka thënë se qëndrimi i Konjufcës është serioz, por se ata duhet ta dëshmojnë se kanë ndryshuar vërtet qëndrim për presidentin.

“Glauku është serioz natyrisht, por qarkoren që e ka publiku sot mediumi juaj Blici, tregon qëndrimet që VV-ja, i ka pas deri sot për Rugovën. Po presim  që qarkoren e re me lshu edhe e shohim qartë a e kanë ndryshu a jo. Atëherë nëse vërtet kanë ndryshuar 28 nëntori është afër, presim deri atëherë me shku me qit lule, ose edhe me qartësu politikën” ka thënë Haziri.

Por megjithatë nënkryetari i LDK-së, i ka vlerësuar si shumë pozitive qëndrimet e Konjufcës, duke e konsideruar atë si politikan të përgjegjshëm.

“Është një deklaratë e mirë, ai është një politikan i përgjegjshëm e thom sinqerisht,  më vjen mirë që ka qëndrime të tilla politike nga ai tabor politik”, është shprehur Haziri për Gazetën Blic.

Konjufca ka pohuar se VV ia njeh kontributin dhe vlerat që Ibrahim Rugova ka dhënë për Kosovën, merita të cilat Konjufca ka thënë se ja njeh gjithë bota, e jo vetëm VV-ja.

Ndërsa Haziri ditë më parë tha se VV duhet ta harrojë bashkëpunimin me LDK, pa ndryshuar qëndrim për Rugovën.