Për të arriturat e komunave të Anamoravës në fushatën e pastrimit, sot në Gjilan u mbajt një punëtori.

Kreu i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka thënë se task forca komunale së bashku me kompanitë vendore dhe komunitetin kanë arritur që t’i heqin qindra tonelata mbeturina prej deponive ilegale, njofton Klan Kosova.

“Përtej gjobave, duhet të jetë kulturë e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta publike. Do ta kemi të vështirë edhe pas këtij aksioni të vazhdojmë që ta shohim qytetin dhe fshatrat tona ashtu qysh kemi qejf. Megjithatë, tendencat kësaj here janë që të largohen dhe të ruhen ato vende ku deponitë potenciale ilegale janë bërë dhe të caktohet vendi për deponitë inerte në veçanti. Deponitë shtazore janë problem, ndërsa për mbetjet medicinale kemi bërë zgjidhje. Kemi punuar gjatë këtyre muajve shumë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha Haziri.

Haziri tregoi se komuniteti në komunën që udhëheq ka filluar ta marrë mbikëqyrjen dhe menaxhimin e hapësirave publike, siç është Dobërcani, Pogragja, Lladova, Zhegra e Cernica.

Gjithashtu kërkoi që edhe fshatrat e tjera të ndjekin si shembull këto vende.