Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë që aktualisht, nuk e kanë shqyrtuar fare çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, kjo çështje do të shqyrtohet vetëm në rast se konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi nga Dhomat e Specializuara, që njihet si Gjykata Speciale, apo në rast të zhvillimeve tjera.

“Përderisa nuk ka ndryshim të gjendjes te Zyra e Presidentit, nuk kemi kurrfarë qëndrimi dhe nuk kemi biseduar me askënd për këtë çështje. LDK-ja vazhdon ta ketë rolin e vet në qeverisje dhe prioritetet është dialogu me Serbinë”, theksoi Haziri për REL.

Ai shtoi se në rast se arrihet deri te situata, në të cilën është e domosdoshme zgjedhja e presidentit të ri, atëherë LDK-ja do të bisedojë në radhë të parë me partnerët e koalicionit qeverisës, por edhe me partitë opozitare, si dhe shoqërinë civile.

Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri, së fundmi ka nxitur debate, pas pretendimeve që ka shfaqur për marrjen e kësaj pozite partneri tjetër në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe lideri i saj Ramush Haradinaj.