Haziri: Më shumë jemi takuar me Escobarin sesa me Kurtin, përgjegjësinë për kritikat ndaj opozitës e kanë kryeministri e presidentja

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thekson se shqetësimin e shprehur nga partnerët perëndimorë dhe në veçanti të SHBA-së e sheh si të bazuar. Këndvështrimi i këtyre shqetësimeve, sipas tij, ka të bëjë me mungesën e konsensusit në Kosovë lidhur me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, sipas tij, për mungesën e këtij konsensusi, përgjegjësia i takon më së shumti kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentes Vjosa Osmani, sepse, siç thotë ai, atyre u ka munguar angazhimi dhe vullneti politik për të ndërtuar konsensus sa ma të gjerë lidhur me proceset e mëdha, në veçanti për dialogun me Serbinë.

“Në po e kuptojmë rolin dhe qëndrimin amerikan dhe na është thënë. Ne më shumë kemi pasur takime me emisarin amerikan [për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar] sesa me kryeministrin dhe më shumë kemi pasur takime me ambasadorin amerikan [në Kosovë, Jeff Hovenier] sesa me kryeministrin dhe presidenten bashkë. Por, kjo është gjendja, në të cilën LDK-ja e ka rishikuar dhe e ka riformuluar [qëndrimin]. Parimisht, ne nuk kemi ndryshuar raport dhe qëndrim. Ka ndryshuar qëndrimin kryeministri”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Haziri shton se LDK-ja e mbështetë procesin e dialogut, por sipas tij, kryeministri e ka dëmtuar procesin për shkak se më nuk po bisedohet për njohje të ndërsjellë me Serbinë. Ai thekson se kryeministri Kurti nuk i ka ftuar partitë opozitare “për të dhënë sqarime se çfarë ka arritur, cilat janë vështirësitë dhe pritjet lidhur me propozimin e BE-së për normalizim” dhe këtë nuk e ka bërë as në Kuvendin e Kosovës, ku ishte i ftuar me mocion.

Në këtë pikë, sipas tij, LDK-ja nuk mund ta mbështesë Qeverinë lidhur me propozimin e BE-së.

“Si mund të bëhet kjo, njëanshëm? Na tregoni… pra, opozita të reagojë njëanshëm dhe të mbështesë Qeverinë në çështjet, për të cilat nuk e dimë se çka kanë negociuar, çka ka premtuar dhe çka pret të realizohet në Ohër? Ne ende nuk jemi njoftuar. Ne e kemi detyruar kryeministrin që të vijë dhe të flasë [në Kuvendin e Kosovës] me mocion, që është masë urgjente. Por, nuk ka normalitet dhe përderisa nuk ka normalitet ky proces, ne nuk i besojmë dhe marrëveshja është në dëm të Kosovës. Kjo është… Pikë”, thekson Haziri.