Haziri: Është arrogancë politike kërkimi i zgjedhjeve të reja, insistojmë për president

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje kanë arritur që të ndërtojnë politika sektoriale të harmonizuara 100 përqind.

“Kjo është bërë në mes të dy rivalëve historik, në dy vitet e fundit – veçanërisht në dy muajt e fundit kanë hapë një kaptinë të re të bashkëpunimit, një marrëveshje e madhe. Dallimet kanë ekzistuar, historiku është i dallueshëm, ideologjia është e dallueshme, duke qenë forca politike që nga opozita marrin mbështetjen qytetare, na ka obliguar ai besim dhe ajo votë që ta hapim kaptinën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet dhe rezistencën që kemi pasë”, ka thënë Haziri.

Në Info Magazine ai ka theksuar se kërkesa për zgjedhje të reja është e gabueshme nga individë prej të dy anëve.

“Ne po negociojmë. Është fazë negociatash. Ne negociojmë për çdo pozitë. Nuk është mirë që të tregohet paaftësi në impelemtim zgjedhjesh. Jemi në fazën e implementimit të zgjedhjeve. Është arrogancë politike kërkimi për zgjedhje të reja. Sovrani nuk mund të vendosë sa herë t’i dëshiron të mbash zgjedhje në këtë vend”.

“Asnjë qeveri nuk e ka kryer mandatin e rregullt. Ka ardhë koha të vendoset stabilitet”.

“LDK as nuk ka punuar me kushtëzime, as nuk ka qenë kushtetuese, as nuk pranon kushtëzime. Kemi thënë se do të punojmë me besim, besimi fitohet duke bashkëpunuar dhe nëse ka çështje që na dallojnë aq shumë duhet lënë anash. Kemi arrit të punojmë bashkërisht një dokument 25 faqesh që do të qeverisin ndryshe. Është hapi i fundit”.

“Takimi i fundit është zhvilluar në dy raunde, ekipet mbështetëse e kanë bërë të vetën që të kryhet pjesa e fundit e marrëveshjes dhe ajo që i ka sjellë shije të keqe është intervista publike, komunikimi publik. Nuk ka asnjë dallim”.

Për çështjen e Presidentit, Haziri ka thënë se nuk është dallim por insistim i tyre.