Hazard i lënduar, mungon në ndeshjen e radhës

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, është shprehur i shqetësuar për gjendjen shëndetësore të yllit belg të skuadrës së tij, Eden Hazardit, dhe ka bërë të ditur se ai do të mungojë në ndeshjen kundër PAOK-ut, për shkak të lëndimit të kyçit të këmbës.

Sarri nuk do të mund të mbështetet në ndihmën e Hazardit për ndeshjen e së enjtes, pasi që ai nuk do të luajë për shkak të lëndimit të kyçit të këmbës. Në këtë ndeshje, të vlefshme për Evropa Ligën, Chelsea do të ndeshet me PAOK-un.

Ylli i Belgjikës dhe Chelseat nuk do të rrezikohet për ndeshjen kundër klubit grek në Stamford Bridge, mirëpo Sarri beson se ai do të jetë në dispozicion për ndeshjen e Premierligës kundër Fulhamit të dielën.

Hazard sapo ishte kthyer nga një lëndim në shtëpi, të cilin e kishte pësuar gjatë ndeshjes kundër Manchester Unitedit, e cila kishte përfunduar me rezultat 2-2. Për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta, ai kishte pësuar lëndim në shpinë.

“Hazard nuk ka një lëndim serioz. Mendoj se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë [kundër PAOK-ut], por mendoj se ai do të jetë në gjendje të kthehet për ndeshjen e radhës të Premierligës”, ka thënë Sarri.

“Jam i shqetësuar sepse para 25 ditëve, ai mori një lëndim në shpinë, e tani në kyç të këmbës. Mendoj se ai ka humbur shumë stërvitje, kështu që është normale që ai nuk është në gjendjen më të mirë fizike”.

“Ai stërvitet për një javë dhe luan disa ndeshje. Këtë javë, është mirë për të që kemi stërvitje, dhe për më shumë, do ta shohim pastaj. Natyrisht, ai nuk mund t’i luajë 10 ndeshje në 29 apo 30 ditë. Edhe ai duhet të pushojë nganjëherë”.