Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka folur për tërheqjen nga Trusti, e cila u pamundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka thënë se nëse do të liheshin të lirë, deputetët e partisë së kryeministrit Albin Kurti do të votonin pro tërheqjes, por që sipas tij po ushtrohet presion mbi ta.
“I kemi pasur do veprime, në kuptimin jo fort të logjikshme prej disa ministrave që kanë votuar kundër projektligjit në Qeveri dhe disa deputetëve që vetë i kanë marrë paret e Trustit”, ka thënë Haxhiu.
Ai ka përmendur edhe emrat e disa ministrave e deputetëve të VV-së që kanë tërhequr para nga Trusti.
“Prej ministrave që kanë marrë para në Trust, Albulena Haxhiu ka tërhequr 2390 euro, Liburn Aliu 2658, Faton Peci 980 euro, Adnan Rrustemi ka tërhequr 2084 euro, Arjeta Rexhepi i ka marrë 1200 euro, Visar Korenica 1762 euro dhe Jeta Statovci që sot votoi kundër në komision i ka marrë 480 euro”, tha Haxhiu në T7.







