Haxhiu: Qeveria e paligjshme të largohet sa më parë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria Hoti është e paligjshme dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se Qeveria Hoti po tregon gjunjëzim para Serbisë, dhe se ka hequr dorë nga mbështetja e institucioneve të drejtësisë për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës.

Postimi i plotë:

“Pak ditë pasi kisha pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, kam pritur në takim prokurorët special që merren me hetimin e krimeve të luftës.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me kërkesat e prokurorisë speciale në raport me krimet e luftës dhe kam dhënë zotimin tim që do të adresoj secilën kërkesë vetëm e vetëm që krimet e luftës të trajtohen seriozisht dhe prokuroria të ketë mbështetjen e duhur për këto raste.

Kërkesë urgjente e kisha konsideruar ndryshimin e një neni tek Kodi i procedurës penale që i shërbente prokurorisë për adresimin sidomos të rasteve të krimeve të luftës që ishin transferuar nga EULEX.

Menjëherë në mars, të njëjtin ndryshim e kam proceduar në Kuvend por për shkak të kundërshtimit të nismave të qeverisë tonë nga PDK, LDK dhe të tjera, i njëjti projektligj pavarësisht rëndësisë, nuk kishte arritur të procedohej në seancë për votim.

Qeveria jolegjitime, në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri tek heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës.

Tërheqja e Qeverisë nga ky ndryshim tregon gjunjëzimin e saj para Serbisë dhe është tendencë për amnistim të krimeve të luftës. Kjo është e papranueshme.

Qeveria e paligjshme duhet të largohet sa më parë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.