Haxhiu: Presidentja bëri shkelje të rëndë të Kushtetutës me heqjen e kilogramëve, duhej ta jepte modelin se si mund të dobësohesh

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke bërë një ndërhyrje estetike për të humbur peshë. Kështu tha analisti Baton Haxhiu.

Haxhiu tha se ky nuk është modeli që duhet të përcjellë një kryetar shteti tek brezat e rinj, se gjërat arrihen shpejt dhe pa sforcime.

“Si ta besoj unë presidenten kur ajo e fsheh veten nga një gjendje dhe ajo është zgjedhur me votë. Një ndërhyrje estetike është e drejtë e saj, por nuk duhet ta bënte gjatë mandatit të vet pasi si e para e shtetit duhet të jetë motivuese për gjeneratat, për të dhënë shpresë. Ajo duhet të jepte modelin se mund të dobësohesh duke ecur në natyrë dhe duke ngrënë shëndetshëm. Osmani ka bërë shkelje të rëndë të kushtetutës, duke i mësuar të tjerët se mund ta arrish gjithçka do menjëherë dhe pa u lodhur”, tha analisti në Euronews Albania.

Sipas tij, fakti që Osmani shkoi në Turqi për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje që mund t’i rrezikonte jetën si e para e vendit pa i deleguar më parë detyrat tek kryetari i kuvendit është gjithashtu shkelje e kushtetutës së vendit.