Haxhiu për Kurtin: 10 euro në ditë i bie pagë mujore 200 euro, mashtrim i radhës

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka komentuar programin qeverisës të Qeverisë Kurti 2 i cili u prezantua sot në Kuvend.

Haxhiu në DPT të Fidani në T7 ka komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti i cili në seancën e Kuvendit tha se është zotuar se askush në Kosovë nuk do të paguhet nën 10 euro në ditë, ndërsa punon 8 orë në ditë.

Haxhiu tha se Kurti në fushatë kishte premtuar pagë 600 euro, ndërsa ditë më parë tha se rroga minimale do të jetë 250 euro. Ndërkohë Haxhiu tha se ky ishte një mashtrim I radhës pasi që sot Kurti deklaroi se do të paguhen 10 euro në ditë që I bië pagë mujore 200 euro

“Për pagën minimale është premtu 600 euro, ditë më parë e ka premtu 250 sot tha 10 euro në ditë I bie që paga mujore 200 euro, po flasim prapë për një mashtrim”, tha Haxhiu

Tutje ai ka komentuar edhe planin për çiftet e reja që të paguhet qera deri në 150 euro.

“Është interesante që e ka zgju kureshtjen e njerëzve me një variant të financimit që e ofrojnë edhe bankat. Vend se me I ofru rinisë punësim. Është prapë një mashtrim”, tha Haxhiu.

Ai tha se qeveria me këtë plan e rrezikon stabilitetin financiar.