Haxhiu pajtohet me Avokatin e Popullit për krijimin e mekanizmave monitorues në Shërbimin Korrektues

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj.

Në njoftim thuhet se në këtë takim palët shprehën vullnetin për ndërtimin e urave komunikuese në mes institucioneve respektive, e po ashtu u diskutua për bashkëpunim edhe me institucionet tjera.

“Ministrja njoftoi Avokatin e Popullit për sfidat me të cilat po ballafaqohet Ministria e Drejtësisë e sidomos ato që lidhen me të drejtat e njeriut. Ministrja Haxhiu përgëzoi punën e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përmendi nivelin e lartë të besueshmërisë së qytetarëve në këtë institucion duke uruar që niveli i besimit të ngritët edhe tek institucionet tjera dhe se kjo mund të bëhet vetëm me punë”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se të dy palët u dakorduan për krijimin e mekanizmave monitorues në Shërbimin Korrektues, e në anën tjetër u shprehën disa rekomandime të ndërsjella për të fuqizuar funksionimin e të dy institucioneve.