Haxhiu kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, thotë se presidenti po e do primatin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është e nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ajo përmes një postimi në Facebook  ka thënë se qeveria i ka marrë të gjitha masat me kohë.

Madje, sipas saj, qeveria e ka gjendjen nën kontroll, dhe se gjithçka po bëhet që presidenti sipas Haxhiut po e do primatin.

Ajo ka thënë se nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme, do të ndikojë negativisht në këtë situatë.

Postimi i plotë i Haxhiut në Facebook:

Kundër pandemisë COVID – 19, Qeveria ka ndërrmarë secilin veprim me kohë. Disa vendime dhe shumë masa e veprime.
Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, punonjësit shëndetësor, policia, kanë qenë në krye të detyrës. Për çdo lavdatë, shembull për shumë vende. Puna e tyre është lavdëruar edhe nga qytetarët edhe nga ambasadat që veprojnë në Kosovë.

Qytetarët në masë të madhe kanë qenë të disiplinuar dhe kanë ndjekur rregullat e kanë vepruar në përputhje me vendimet e Qeverisë.

Në këto rrethana nuk ka asnjë veprim që është dashur të bëhet dhe që nuk është bërë nga Qeveria. Të gjitha në kohë!
Pse të shpallet gjendja e jashtëzakonshme kur situata është në kontroll dhe e menaxhueshme?

Vaj halli nëse edhe në këto rrethana, Presidenti e do primatin. Kjo nuk i ndihmon situatës, përkundrazi!.